Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë publike një letër zyrtare të pranuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën vlerësohet lart roli dhe angazhimi i saj gjatë mandatit presidencial.
Në letrën e datës 8 prill 2026, Presidenti Trump shpreh admirimin e tij për lidershipin e guximshëm dhe vendimtar të Osmanit, duke theksuar se bashkëpunimi i tyre, veçanërisht në nismën “Board of Peace”, do të luajë një rol të jashtëzakonshëm në përfundimin e konflikteve globale dhe promovimin e lirisë.
Trump nënvizon se Osmani ka qenë gjithmonë një mikeshë dhe partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara, duke shtuar se trashëgimia e saj do të lërë gjurmë të rëndësishme në të ardhmen e Kosovës dhe gjithë rajonit të Ballkanit.
Nga ana e saj, Presidentja Osmani, duke publikuar letrën, ka deklaruar se lidhja e fortë mes Kosovës dhe Amerikës do të mbetet e palëkundur, ndërsa ka mirëpritur vazhdimin e bashkëpunimit me SHBA-të edhe në vitet në vijim.





