Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë vizitës së tij në Turqi të martën, zhvilloi diskutime me këshilltarë dhe zyrtarë të lartë amerikanë e ndërkombëtarë lidhur me sulmet ndaj objektivave iraniane, raportojnë burime të afërta me bisedimet në Ankara.
Para darkës së liderëve, të organizuar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, Trump u takua me sekretarin amerikan të Mbrojtjes Pete Hegseth, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe shefin e Shtabit të Përbashkët, Dan Caine, për të diskutuar veprimet e fundit ushtarake amerikane ndaj caqeve në Iran.
Në Ankara ishte gjithashtu sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i cili u konsultua me Trump për mundësinë e heqjes së përjashtimeve nga sanksionet që i kishin mundësuar Iranit të vazhdonte eksportin e naftës.
Sipas burimeve, Trump ishte i pakënaqur me shkeljet e pretenduara nga Irani ndaj Memorandumit të Mirëkuptimit, të nënshkruar rreth tri javë më parë. Ndërkohë, Teherani ka akuzuar gjithashtu Shtetet e Bashkuara për shkelje të marrëveshjes.
Gjatë darkës së liderëve, ku u shërbyen ushqime tradicionale turke si buka e sheshtë “pide” dhe petët “manti”, Trump zhvilloi një bisedë private edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO, Mark Rutte.
Një ditë më pas, Rutte deklaroi se veprimi ushtarak amerikan ishte “absolutisht i nevojshëm”, duke theksuar se nëse një armëpushim shkelet, atëherë reagimi i fuqishëm është i domosdoshëm.
“Kur keni një armëpushim dhe Irani në thelb e shkel atë, mendoj se është absolutisht thelbësore që SHBA-ja të reagojë fuqishëm”, tha Rutte para samitit të liderëve të NATO-s në Ankara.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s foli gjithashtu edhe për deklaratat e reja të Trumpit lidhur me mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake në Grenlandë. I pyetur nëse i merr seriozisht këto kërcënime apo nëse Trump mbetet i përkushtuar ndaj aleancës, Rutte u përgjigj shkurt: “Ai është plotësisht i përkushtuar ndaj ekipit”.




