Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, ka bërë një thirrje të papritur ndaj presidentit rus Vladimir Putin për ngrirjen e luftimeve në Ukrainë dhe rikthimin në tryezën e negociatave.
Tokayev ka propozuar rifillimin e bisedimeve sipas një formule të përditësuar të quajtur “Formula e Stambollit 2.0”, e cila, sipas tij, do të duhej të mbështetej nga garanci të fuqive të mëdha botërore.
“Është zemërthyese që të rinjtë po vdesin. Ata janë gjenofondi i popujve vëllazërorë të Rusisë dhe Ukrainës. E gjithë kjo duhet të ndalet”, ka deklaruar Tokayev.
Presidenti rus Vladimir Putin, sipas raportimeve, nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj thirrjes së homologut kazak, por tha se do ta mbante Tokayevin të informuar për “zhvillimet në frontin ukrainas”.
Deklarata e presidentit të Kazakistanit vjen në një kohë kur përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë vazhdojnë, ndërsa Moska dhe Kievi mbeten larg një marrëveshjeje përfundimtare.




