Ministria e Jashtme e Iranit ka deklaruar zyrtarisht se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për qarkullim. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Ismail Baghaei, bëri të ditur se Teherani ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një lundrim të sigurt përmes kësaj pike kyçe strategjike.
Ndërkohë, në Lindjen e Mesme vjen një kthesë e rëndësishme: Izraeli dhe Hezbollahu kanë rënë dakord për një armëpushim. Sipas raportimeve, armëpushimi pritet të hyjë në fuqi këtë të premte në orën 16:00 sipas kohës lokale.
Agjencia e lajmeve Reuters bën të ditur se kjo marrëveshje u arrit falë ndërmjetësimit të Shteteve të Bashkuara dhe Katarit, duke marrë edhe asistencën e Iranit. Detajet e tjera rreth pikave të marrëveshjes ende nuk janë bërë të ditura.
Nga ana tjetër, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni mund ta parandalojë Izraelin nga sulmet e mëtejshme në Liban, duke theksuar se pala izraelite ka respekt të madh ndaj tij.
“Nuk ka asgjë çfarë t’ju surprizojë këtu. Ata më respektojnë shumë dhe bëjnë atë që them unë”, u shpreh presidenti amerikan në një intervistë për Axios, i pyetur nëse SHBA mund ta bindë Izraelin që t’i ndalë goditjet ndaj Libanit.




