Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka shpallur person “non grata” ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunović, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin transit në territorin e Republikës së Kosovës.
Vendimi vjen pas deklaratave të Paunovićit, të cilat Sveçla i cilësoi si rikonfirmim të projektit të spastrimit etnik të shqiptarëve, duke e lidhur atë me politikat e ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.
“Snezhana Paunović ka rikonfirmuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë – projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve. Kjo gjuhë nuk është e re, por vazhdimësi e një politike shtetërore që për dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre”, ka deklaruar Sveçla.
Ai theksoi se retorika e tillë është e papranueshme dhe duhet të dënohet nga shtetet demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe refuzojnë çdo nxitje të urrejtjes dhe destabilizimit.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezhana Paunović e kam shpallur person non grata, me ndalim të përhershëm të hyrjes apo kalimit transit përmes Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur ai.
Sveçla shtoi se epoka e shtypjes, masakrave dhe spastrimit etnik ndaj shqiptarëve ka përfunduar përgjithmonë, duke theksuar se Kosova është një shtet sovran dhe demokratik me institucione që mbrojnë rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e qytetarëve.
Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale.




