Ballina > Aktualitet > Andin Hoti nënshkruan vendim për standarde të reja komunikimi me qytetarët

Andin Hoti nënshkruan vendim për standarde të reja komunikimi me qytetarët

15 Jul 2026 Aktualitet

Ministri në detyrë i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka njoftuar se ka nënshkruar një vendim që përcakton standarde të reja të komunikimit me qytetarët, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e transparencës institucionale.

Sipas Hoti, vendimi parasheh që çdo kërkesë, ankesë apo parashtresë e qytetarëve të regjistrohet dhe të trajtohet brenda afateve të përcaktuara.

Hoti bëri të ditur se qytetarët do të marrin përgjigje ose informatë për statusin e lëndës së tyre brenda 10 ditëve të punës. Në rastet kur trajtimi nuk mund të përfundojë brenda këtij afati, ata do të njoftohen për arsyet e vonesës dhe kohën e pritshme të përfundimit të procedurës.

Ai theksoi se, që nga marrja e detyrës, një nga prioritetet kryesore ka qenë përmirësimi i komunikimit me qytetarët, përmes krijimit të kanaleve të reja zyrtare për ankesa, kërkesa dhe informata, si dhe ndërtimi i një administrate më të hapur dhe më të qasshme.

“Administrata publike duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe Ministria funksionon e ekziston për ta. Dua që çdo qytetar të trajtohet me respekt”, citohet të ketë deklaruar Hoti në komunikatën e Ministrisë.

Sipas MPFVLÇ-së, vendimi synon të forcojë llogaridhënien dhe efikasitetin institucional, duke garantuar komunikim më të shpejtë dhe më transparent me qytetarët.

Lini një përgjigje