Ballina > Vendi > Storie Suksesi për të Rinjtë e Pejës

Storie Suksesi për të Rinjtë e Pejës

05 Jul 2026 Vendi

Krenari për Pejën dhe Kosovën: Natyra Shabi diplomohet me sukses në Turqi

Një tjetër histori suksesi vjen nga të rinjtë e Pejës dhe Kosovës, të cilët po shkëlqejnë në universitetet ndërkombëtare dhe po dëshmojnë se përkushtimi, puna dhe vullneti janë çelësi i arritjeve të mëdha.

Natyra Shabi, nga Peja, ka përfunduar me sukses studimet në drejtimin Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Marmara në Turqi, duke synuar që rrugëtimin e saj akademik ta vazhdojë edhe në studimet pasuniversitare.

Rrugëtimi i saj arsimor nisi në Pejë, ku arsimin fillor e kreu nën përkujdesjen e mësueses Mehrije Hoxha, ndërsa arsimin e mesëm të ulët (klasat 6–9) e vazhdoi me kujdestaren Volbona Goga. Shkollimin e mesëm e përfundoi në Gjimnazin “Bedri Pejani”, nën kujdestarinë e profesorit Ali Husaj. Gjatë klasës së 11-të, Natyra pati mundësinë të studiojë me bursë në shtetin e Illinois-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjithashtu arriti rezultate të shkëlqyera dhe përfaqësoi denjësisht vendin tonë.

Pas përfundimit të arsimit të mesëm, ajo vazhdoi studimet universitare në Turqi, ku falë përkushtimit, disiplinës dhe rezultateve të larta akademike, arriti të diplomojë me sukses të shkëlqyer.

Më 2 korrik 2026, Natyra nuk feston vetëm marrjen e një diplome, por edhe kurorëzimin e shumë viteve të punës, sakrificës, përkushtimit dhe guximit. Studimet larg familjes dhe atdheut nuk janë të lehta, por ajo dëshmoi se me vullnet të fortë dhe punë të palodhshme, çdo ëndërr mund të bëhet realitet.

Natyra ka fituar jo vetëm një diplomë universitare, por edhe njohuri, përvojë dhe vlera që do ta shoqërojnë gjatë gjithë jetës së saj profesionale dhe personale.

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) në Pejë i shpreh urimet më të përzemërta Natyra Shabit për këtë sukses të jashtëzakonshëm dhe i dëshiron shumë suksese në rrugëtimin e saj të mëtejshëm akademik dhe profesional.

Krenarë me sukseset e të rinjve tanë – krenarë me Natyra Shabin!

Lini një përgjigje