Ballina > Bota > Spanja vendos barrierë 500-metërshe në kufirin mes Ceutës dhe Marokut

Spanja vendos barrierë 500-metërshe në kufirin mes Ceutës dhe Marokut

01 Aug 2026 Bota

Autoritetet spanjolle kanë vendosur të shtunën në mëngjes një barrierë lundruese 500 metra të gjatë në enklavën e Ceutës, pas një fluksi rekord migrantësh që tentuan të hynin në territorin spanjoll gjatë ditëve të fundit.

Sipas autoriteteve, që nga e enjtja rreth 50 mijë persona kanë tentuar të kalojnë kufirin mes Marokut dhe enklavës spanjolle të Ceutës, duke krijuar një nga presionet më të mëdha migratore në këtë kufi mes Bashkimit Evropian dhe Afrikës.

Ngjarja pati pasoja tragjike. Në anën spanjolle të kufirit janë gjetur të paktën 67 trupa, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se disa persona humbën jetën duke u mbytur, ndërsa të tjerë gjatë grumbullimit të madh të njerëzve në përpjekje për të kaluar kufirin.

Autoritetet spanjolle njoftuan se më shumë se 48 mijë migrantë janë kthyer në Marok brenda 48 orëve. Ndërkohë, ushtria dhe policia kanë shtuar patrullimet në plazhin Tarajal, një nga pikat kryesore të kalimit.

Barriera e re lundruese është vendosur në digën e Tarajalit. Ajo ngrihet nga 30 deri në 70 centimetra mbi sipërfaqen e ujit dhe shtrihet rreth një metër nën të, ndërsa është lënë një korridor për kalimin e mjeteve patrulluese të policisë.

Zhvillimet kanë nxitur reagime edhe brenda Bashkimit Evropian. Njëzet e dy shtete anëtare kanë kërkuar mbajtjen e një takimi urgjent të ministrave të Brendshëm, duke kërkuar një përgjigje të koordinuar, mbështetje shtesë nga agjencia Frontex dhe rishikimin e bashkëpunimit me Marokun.

Lini një përgjigje