Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë është sot qendra e xhudos rajonale dhe më gjerë. Ditën e sotme, me fillim nga ora 10:00, ka nisur zyrtarisht Turneu Ndërkombëtar i Xhudos “Xhudo për Paqe”, një ngjarje sportive që bën bashkë elitën e re dhe garuesit me përvojë në djepin e këtij sporti në Kosovë.
Në këtë turne prestigjioz po marrin pjesë rreth 200 xhudistë dhe xhudiste nga vende të ndryshme të rajonit dhe Europa, të cilët do të sfidojnë njëri-tjetrin për medaljet kryesore. Ngjarja është e ndarë në katër kategori të rëndësishme moshash, duke garantuar një spektakël të vërtetë në mat:
- Pionierë të rinj (U14)
- Pionierë të vjetër (U16)
- Kadetë (U18)
- Seniorë
Ky aktivitet i madh organizohet nën patronazhin e Federatës së Xhudos së Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Klubin e Xhudos “Ippon” nga Peja — i njohur botërisht si fabrika që prodhon kampionë bote dhe olimpikë nën drejtimin e mjeshtrit Driton Kuka.
Turneu “Xhudo për Paqe” ka për qëllim jo vetëm rritjen e cilësisë sportive dhe shkëmbimin e përvojave mes xhudistëve të rinj, por edhe përcjelljen e një mesazhi të fuqishëm të miqësisë dhe bashkëpunimit përmes sportit. Sfidat e para tashmë kanë filluar dhe atmosfera në palestër premton një ditë të gjatë e të mbushur me rivalitet e emocione të mëdha.




