Megjithëse deri më tani nuk është zbardhur zyrtarisht shkaku i zjarrit i fuqishëm që përfshiu pallatin 12-katësh, kanë dalë pamje të reja se si zjarri nis që në katet e para të kompleksit të banimit.
Në pamjet e siguruara nga RTSH, duket se si zjarri ka nisur në katet e para të pallatit 12-katësh, ku flakët shfaqen në fillim në katin e dytë dhe të tretë, ndërsa një vajzë dhe një djalë i mitur përpiqen të shuajnë flakët.
Më pas flakët u përhapën me shpejtësi duke përpirë të gjithë fasadën e kompleksit të banimit, gjë për të cilën u desh ndërhyrja e ekipeve të zjarrfikësve dhe ndërhyrje me lart me helikopter.
Nga flakët që përfshiu pallatin 12-katësh mbetën të asfiksuar 7 persona ku 3 prej tyre ishin zjarrfikës dhe 4 qytetarë. Ata u dërguan në urgjencën e Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të marrë trajtimin e duhur.
Drejtori i zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, deklaroi se shërbimet e emergjencës u angazhuan me të gjitha mjetet për izolimin e flakëve derisa situata u normalizua.
Ndërkaq, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit, duke sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe duke mbledhur prova.
Nga ana e tij drejtori i Policisë së Shtetit tha se nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të ketë ardhur si pasojë e ndërhyrjes së personave të jashtëm.
“Kemi indiciet tona dhe po grumbullojmë provat, po marrim kamerat e sigurisë dhe do të kryhen të gjitha veprimet hetimore. Nëse zjarri do të jetë për shkaqe që kanë ardhur nga persona të jashtëm patjetër që do të ketë masa të tjera ekstreme”, tha ai.
/rtsh.al/





