Edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar ka përfunduar me shpalljen e fituesve në kategoritë kryesore, pas një jave me filma, diskutime, punëtori, ekspozita dhe aktivitete kulturore në Pejë.
Çmimin kryesor në Konkurrencën Ndërkombëtare e fitoi filmi “To the Woods” nga regjisorja Agnes Patron. Juria e vlerësoi filmin për atmosferën e tij të veçantë, rrëfimin emocional dhe kombinimin e fuqishëm të muzikës dhe dizajnit të zërit.
Filmi “Klonter” nga Levi Stoops mori një përmendje speciale në këtë kategori.
Në Konkurrencën Studentore, çmimi kryesor shkoi për “My Good Boy” nga Sara Priorelli, ndërsa përmendje speciale mori filmi “Children of the Black Sea” nga Mihaela Mîndru.
Në kategorinë Balkan Competition, fitues u shpall filmi “Paradaïz” i autores Matea Radi.
Çmimi për Videoklipin më të Mirë të Animuar iu nda filmit “Jay & Bee” nga David Kellner, ndërsa përmendje speciale morën “No Disco” dhe “Larzan Karné”.
Në garën për Animacionin më të Mirë për të Drejtat e Njeriut, çmimi shkoi për “At Night” nga Pooya Afzali, ndërsa filmi “That Night” nga Hoda Sobhani u vlerësua me përmendje speciale.
Në Konkurrencën për Audiencën e Re, fitues u shpall “The Great Dreamscape” nga Rémi Durin.
Ndërkohë, në konkursin e zhvillimit të projekteve Pitch It, fituesit ishin:
- Çmimi i parë: Crow Funeral – Durim Klaiqi
- Çmimi i dytë: Through the Cracks – Jeta Sokoli
- Çmimi i tretë: Gjith Ktu – Hana Kasemi
Çmimi i Publikut i edicionit të 17-të të Anibarit iu dha filmit “Wish You Were Ear” nga Mirjana Balogh.
Me këtë edicion, Anibar vazhdoi të forcojë rolin e tij si një pikë takimi për animatorë, artistë dhe publik nga e gjithë bota, duke promovuar filmin e animuar si një formë të rëndësishme të shprehjes artistike dhe kulturore.




