Ballina > Bota > SHBA u kthen bizneseve 81 miliardë dollarë tarifa doganore, vendosi Gjykata

SHBA u kthen bizneseve 81 miliardë dollarë tarifa doganore, vendosi Gjykata

14 Jul 2026 Bota

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kthyer rreth 81 miliardë dollarë tarifa ndaj kompanive importuese, pasi Gjykata Supreme i shpalli të paligjshme një pjesë të madhe të tarifave të vendosura nga presidenti Donald Trump.

Sipas të dhënave buxhetore të publikuara të hënën, rimbursimet janë bërë gjatë këtij viti fiskal që nisi në tetor 2025, një rritje e ndjeshme krahasuar me vetëm 5 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vendimi i Gjykata Supreme e SHBA-së në muajin shkurt detyroi qeverinë të kthejë paratë kompanive që kishin paguar tarifat shtesë mbi mallrat e importuara. Një zyrtar i Departamentit të Thesarit bëri të ditur se shumica e rimbursimeve janë realizuar gjatë muajve maj dhe qershor.

Tarifat – që janë taksa mbi mallrat e importuara – kanë qenë një element kyç i politikës ekonomike të Trump, i cili synonte përmes tyre rikthimin e industrisë në SHBA, përmirësimin e marrëveshjeve tregtare dhe uljen e deficitit buxhetor.

Megjithatë, pas vendimit të gjykatës, deficiti federal ka filluar të rritet sërish. Ai arriti në 1.367 trilionë dollarë në nëntë muajt e parë të vitit fiskal, një rritje prej 2%. Ndërkohë, SHBA ka shpenzuar mbi 1 trilion dollarë vetëm për interesin e borxhit, ndërsa shpenzimet ushtarake janë rritur me 5%, për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.

Administrata amerikane aktualisht ka në fuqi një tarifë të përkohshme globale prej 10%, e cila pritet të skadojë më 24 korrik. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë po përgatit masa të reja tarifore, që mund të prekin partnerë të mëdhenj tregtarë si Britania e Madhe, Japonia, India, Tajvani dhe Kina.

Propozimet e reja parashohin tarifa nga 10% deri në 12.5%, si dhe mundësinë e vendosjes së taksave të reja deri në 25% për Brazilin. Po ashtu, Trump ka paralajmëruar edhe tarifa deri në 100% ndaj vendeve evropiane që aplikojnë taksa për kompanitë e mëdha teknologjike amerikane.

Në këtë kuadër, Britania e Madhe aplikon një taksë digjitale prej 2% për kompani të mëdha si Apple, Google dhe Amazon, e cila ka gjeneruar mbi 800 milionë paund gjatë vitit 2024-2025.

Lini një përgjigje