Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar në orët e para të së mërkurës me kohën e Kosovës se pajtohet me një armëpushim dyjavor të propozuar midis SHBA-së dhe Iranit nëse trafiku i anijeve lejohet të lëvizë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Izraeli ka njoftuar po ashtu se mbështet vendimin e Trumpit për të pezulluar sulmet ndaj Iranit, por ka shtuar se armëpushimi dyjavor “nuk përfshin Libanin”.
Armëpushimi erdhi pak më shumë se një orë para afatit të Trumpit që Irani të bëjë një marrëveshje ose përndryshe “një qytetërim i tërë do të vdesë”.
Pakistani, i cili ka vepruar si ndërmjetës, ka ftuar të dyja palët për bisedime në Islamabad të premten.
Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm që nga njoftimi i armëpushimit, duke u tregtuar tani nën 100 dollarë për fuçi.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë në orët e para të së mërkurës me kohë të Kosovës se SHBA-ja kishte marrë një plan 10-pikësh “të realizueshëm” nga Irani, pasi të dy vendet ranë dakord për një armëpushim dyjavor.
Propozimi i Teheranit përfshin pika që lidhen me Ngushticën e Hormuzit, heqjen e sanksioneve globale dhe armët bërthamore, sipas raportimeve nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Fars.
Këto janë 10 pikat e planit iranian të paqes:
1. Tërheqja e trupave amerikane nga rajoni
2. Kontroll i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit
3. Kompensimi i dëmeve ndaj Iranit
4. Tërheqja e sanksioneve
5. Lirimi i asteve të ngrira iraniane
6. Zotimi i Iranit për të mos krijuar armë bërthamore
7. Pranimi i së drejtës së Iranit për të pasuruar uranium
8. Pajtimi i Iranit për traktatet e paqes me vendet e rajonit
9. Ndërprerja e armiqësive kundër të gjitha grupeve të rezistencës në rajon
10. Dispozitat e mbështetura nga rezoluta e OKB-së




