Reperi dhe producenti amerikan Sean “Diddy” Combs është dërguar në izolim në burgun Fort Dix në New Jersey, pasi është përfshirë në një përleshje me një të burgosur tjetër, raportojnë mediat amerikane.
Sipas TMZ, incidenti nisi me një debat verbal, pasi një i burgosur tjetër dyshohet se e kishte ofenduar Combsin. Situata më pas ka përshkallëzuar në shtyrje dhe goditje fizike, derisa ndërhynë gardianët e burgut dhe i ndanë të dy.
Burime për TMZ kanë thënë se Combs “është mbajtur mirë” gjatë përleshjes, por ende nuk dihet se sa gjatë do të qëndrojë në izolim dhe nëse do të përballet me masa të tjera disiplinore.
Avokatët e tij deri tani nuk kanë bërë ndonjë koment publik për incidentin.
Përleshja mund të ndikojë edhe në datën e lirimit të tij. Combs aktualisht pritet të lirohet më 23 shkurt 2028, por sjellja gjatë vuajtjes së dënimit mund të ndikojë në përfitimet ose kohën e daljes nga burgu.
Nga burgu Fort Dix dhe nga Byroja Federale e Burgjeve në SHBA kanë deklaruar se nuk komentojnë çështje individuale të disiplinës së të burgosurve për arsye privatësie dhe sigurie.
Combs po vuan një dënim prej 50 muajsh burgim, pasi në tetor të vitit të kaluar u shpall fajtor për dy pika të akuzës lidhur me transportimin e personave për qëllime prostitucioni. Ai u lirua nga akuzat më të rënda për shantazh dhe trafikim njerëzor për shfrytëzim seksual.
Ky nuk është problemi i tij i parë gjatë qëndrimit pas hekurave. Gjatë kohës në qendrën e paraburgimit në Brooklyn, raportohet se një i burgosur tjetër e kishte kërcënuar me një thikë të improvizuar. Më pas ai u transferua në Fort Dix, por edhe aty tashmë është përballur me një incident të ri.




