Ballina > Bota > Samiti i NATO-s në Turqi/ Pse Donald Trump po kërcënon tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Europa?

Samiti i NATO-s në Turqi/ Pse Donald Trump po kërcënon tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Europa?

07 Jul 2026 Bota

Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump udhëton drejt Turqisë për samitin e shumëpritur të NATO-s, prapaskenat e administratës së tij dëshmojnë për një krizë të thellë besimi që kërcënon seriozisht mbijetesën e aleancës 77-vjeçare. Burime të mirëinformuara për CNN zbulojnë se indinjata e Trumpit ndaj aleatëve europianë – të cilët refuzuan të përfshiheshin në luftën e tij në Iran – e ka shtyrë atë të hedhë idenë e një tërheqjeje masive ushtarake.

Gjatë një takimi të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë këtë pranverë, Trump pyeti hapur zyrtarët e tij se çfarë do të ndodhte nëse numri i trupave amerikane në Europë do të reduktohej me një të tretën, si një mesazh ndëshkimi për “ashtuquajturit aleatë”.

Plani i Pentagonit: “Disa vende do të ngelin në klasë”

Edhe pse Ministri i Mbrojtjes, Pete Hegseth, fillimisht kishte planifikuar të shpallte kärkesat e ashpra të Trumpit në takimin e NATO-s në qershor, plani u zbut pas konsultimeve të brendshme. Në vend të kësaj, Hegseth prezantoi një revizion gjashtëmujor të forcave amerikane.

“Ky është një rishikim ku disa vende do të ngelin në klasë, ndërsa të tjerat do të kalojnë me nota maksimale,” paralajmëroi shefi i Pentagonit, duke sinjalizuar qartë se mbështetja e Uashingtonit nuk është më e garantuar.

Në të njëjtën kohë, Pentagoni ka anuluar dy rotacione të planifikuara trupash në Poloni dhe ka konfirmuar tërheqjen e 5,000 ushtarëve nga Gjermania, pas deklaratave të kancelarit gjerman Friedrich Merz se SHBA po përjeton “poshtërim” në Iran.

Samiti i Ankarasë: Miqësia me Erdoganin dhe sherrblloku me Melonin

Sipas burimeve, Trump po merr pjesë në këtë samit pothuajse tërësisht “pa dëshirë”. Gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenti amerikan pranoi se arsyeja e vetme pse po udhëton është sepse samiti mbahet në Ankara nën mikpritjen e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, të cilin e konsideron mik. Diplomatët i bënë të qartë se mungesa e tij do të shihej si një fyerje e rëndë ndaj liderit turk.

Atmosfera është rënduar edhe më shumë nga përplasjet personale të Trumpit me liderët europianë. Së fundmi, pas samitit të G7-ës, Trump nisi një luftë absurde me kryeministren italiane Giorgia Meloni. Pasi Trump pretendoi se ajo i kishte “lutesha” për një foto së bashku, Meloni e akuzoi për shpifje. Reagimi i Trumpit të dielën ishte akoma më bizarr, duke deklaruar se do të kërkojë një “urdhër mbrojtjeje/ndalimi gjyqësor” ndaj saj.

Strategjia e Mark Rutte dhe oferta për Ukrainën

Për të zbutur zemërimin e Trumpit, Mark Rutte ka përdorur një taktikë të veçantë: grafikët. Gjatë vizitës në Zyrën Ovale, Rutte i prezantoi Trumpit tabela që tregonin rritjen dramatike të shpenzimeve europiane për mbrojtjen, duke e quajtur këtë rritje si “Trilionin e Trumpit” (një meritë direkte e presionit të tij).

Për më tepër, Europa po përgatit një paketë prej dhjetëra miliarda eurosh ndihmë ushtarake për Ukrainën, me shpresën për të treguar se janë të gatshëm të financojnë sigurinë në kufijtë e tyre. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të jetë i pranishëm në darkën zyrtare në Ankara dhe do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Trumpin të mërkurën, megjithatë pjesëmarrja e tij në takimet zyrtare të NATO-s mbetet e bllokuar – një shenjë se anëtarësimi i Kievit është ende pezull.

Çështja e Grenlandës dhe frika nga Rusia

Përveç kërkesës së prerë për lojalitet ushtarak (“Nuk na duhen paratë e tyre, na duhet lojaliteti“, citohet të ketë thënë Trump), Shtëpia e Bardhë vazhdon të insistojë në blerjen e Grenlandës nga Danimarka, duke e konsideruar strategjike për sigurinë kombëtare amerikane. Kjo ndodh pavarësisht përpjekjeve të Rutte për të krijuar një plan mbrojtës europian mbi këtë territor.

Ky kaos dhe tërheqja e shpejtë e trupave amerikane ka alarmuar diplomatët europianë, të cilët i frikësohen një lëvizjeje agresive nga Rusia për të testuar solidaritetin e aleancës. Siç paralajmëron Stephen Wertheim nga Fondacioni Carnegie për Paqe Ndërkombëtare: “Aleatët kanë nevojë për një mesazh kristal të qartë se çfarë po qëndron dhe çfarë po ikën nga Europa. Por që të ndodhë kjo, Uashingtoni duhet së pari të vendosë me veten e tij.”

Lini një përgjigje