Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për rihapjen e Galeria Kombëtare e Kosovës, pas përfundimit të një investimi prej më shumë se 1.6 milion eurosh.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti bëri të ditur se, përveç restaurimit të plotë të objektit, galerisë i janë shtuar rreth 400 metra katrorë hapësira të reja, të ndërtuara sipas standardeve bashkëkohore ndërkombëtare për inventarizimin dhe ruajtjen e veprave të artit.
Sipas tij, investimi forcon kapacitetet institucionale për ruajtjen dhe pasurimin e Koleksionit Shtetëror, duke krijuar kushte më të mira për konservimin dhe menaxhimin e trashëgimisë artistike.
Kurti theksoi se ky projekt është më shumë sesa një investim në infrastrukturë, duke e cilësuar atë si një investim në kujtesën kolektive, artistët dhe brezat e ardhshëm.
Ai shtoi se rihapja e Galerisë Kombëtare është dëshmi e rëndësisë që ka infrastruktura për zhvillimin e kulturës dhe artit, duke theksuar se krijimi, ekspozimi dhe ruajtja e veprave artistike kërkojnë hapësira të përshtatshme dhe standarde të larta.
Në fund të postimit, Kurti uroi Galerinë Kombëtare të Kosovës për rihapjen dhe i dëshiroi suksese në kapitullin e ri të veprimtarisë së saj.





