Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pritur në takim Desk Officer për Kosovën nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Andrew Caruso, i shoqëruar nga përfaqësues të Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë takimit u rikonfirmua partneriteti i ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus në avancimin e bashkëpunimit në sektorin e shëndetësisë.
Bashkëbiseduesit diskutuan mundësitë për forcimin e sistemit shëndetësor, zhvillimin e kapaciteteve profesionale të punonjësve shëndetësorë, avancimin e shëndetit publik dhe mbështetjen e reformave në këtë sektor.
Ministri Vitia shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ka ofruar sistemit shëndetësor të Kosovës ndër vite, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Ai ritheksoi përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me institucionet amerikane, me synim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e cilësisë së kujdesit për qytetarët e Kosovës.




