SHPËTIMI i një piloti amerikan në Iran u zhvillua pothuajse në mënyrë perfekte – deri në momentin kur operacioni u bllokua për shkak të një defekti teknik, raporton Reuters.
Nën mbulimin e natës, forcat speciale amerikane hynë pa u vënë re thellë në territorin iranian, u ngjitën në një kreshtë malore mbi 2100 metra lartësi dhe nxorën oficerin e mbetur në terren, duke e zhvendosur drejt një pike sekrete takimi para agimit të së dielës.
Por më pas gjithçka u ndal.
Defekti që mund ta kthente misionin në katastrofë
Dy avionë MC-130, të cilët transportuan një pjesë të rreth 100 pjesëtarëve të forcave speciale në një zonë të vështirë për t’u arritur në jug të Teheranit, pësuan defekt teknik dhe nuk mundën të ngriheshin në ajër, tha një zyrtar amerikan për Reuters.
Në atë moment, komandot elitare rrezikuan të mbeteshin të bllokuar thellë pas vijave armike.
Komandantët morën një vendim të rrezikshëm dhe dërguan avionë shtesë në Iran për të tërhequr forcat në disa faza, çka bëri që komandot të prisnin disa orë të tensionuara.
“Nëse ka pasur një moment ‘uh, kjo është vërtet keq’, atëherë ishte pikërisht ai,” tha zyrtari, duke theksuar se vendimi i shpejtë ishte kyç për suksesin e operacionit.
Plani në fund rezultoi i suksesshëm. Forcat u tërhoqën në disa faza, ndërsa ushtria amerikane shkatërroi avionët e dëmtuar MC-130 dhe edhe katër helikopterë në territorin iranian, në mënyrë që të mos binin në duart e armikut.




