Ministri i Transportit i Turqisë, Abdulkadir Uraloğlu, ka bërë të ditur se një tjetër anije turke me ngarkesë ka arritur të kalojë përmes Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht tensioneve të krijuara pasi Irani e kishte mbyllur këtë korridor strategjik pas sulmeve amerikano-izraelite të nisura më 28 shkurt.
Sipas tij, më 28 shkurt në zonën e ngushticës ndodheshin 15 anije të kompanive turke të transportit detar që po prisnin leje për kalim.
Ai tha se situata lidhet si me ndërhyrjet diplomatike të Turqisë, ashtu edhe me faktin se disa nga anijet transportonin mallra me lidhje tregtare me Iranin ose kishin përdorur më herët portet iraniane.
Uraloğlu nuk dha detaje për kohën e saktë të kalimit të anijes së dytë, por konfirmoi se e para kishte marrë leje nga autoritetet iraniane dhe kishte kaluar më 13 mars. Sipas raportimeve të “CNN Turk”, dy anijet që kanë arritur të kalojnë janë “Rozana” dhe “Neraki”.
Ministri shtoi se nga 15 anijet e bllokuara, vetëm nëntë kanë paraqitur kërkesë zyrtare për kalim, ndërsa institucionet turke po punojnë për të siguruar lejet e nevojshme.
Ai theksoi gjithashtu se katër anije nuk kanë kërkuar largimin nga zona, ndërsa dy prej tyre janë anije për prodhim energjie që qëndrojnë të stacionuara, dhe dy të tjera po presin për stabilizim të situatës në terren.




