Ballina > Bota > Raporti mjekësor i Donald Trump: Presidenti amerikan 79-vjeçar në “gjendje të shkëlqyer”

Raporti mjekësor i Donald Trump: Presidenti amerikan 79-vjeçar në “gjendje të shkëlqyer”

30 May 2026 Bota

Mjeku personal i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se kreu i Shtëpisë Prishtine është në një gjendje të shkëlqyer shëndetësore dhe plotësisht i aftë për të përmbushur detyrat e tij si komandant suprem. Ky konfirmim vjen pas një kontrolli të hollësishëm mjekësor të kryer në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake “Walter Reed”.

Sipas raportit të hartuar nga dr. Sean Barbabella, Trump iu nënshtrua një skanimi tomografik (CT), analizave të zemrës, kontrolleve parandaluese për kancerin dhe ekzaminimeve të tjera specifike të realizuara nga një ekip prej 22 specialistësh. Vetë Trump, i cili pas pak javësh feston ditëlindjen e tij të 80-të, u shpreh se gjithçka rezultoi në “rregull të përsosur” pas kontrollit që zgjati rreth tre orë.

Megjithatë, dokumenti mjekësor dëshmon se pesha e presidentit ka arritur në 108 kilogramë, duke shënuar një rritje prej 6 kilogramësh në krahasim me prillin e vitit të kaluar. Me një gjatësi prej 1.9 metrash, Indeksi i Masës Trupore (BMI) i Trumpit llogaritet në 29.7, çka e pozicionon atë fare pranë kufirit mjekësor të obezitetit, i cili fillon në vlerën 30. Nisur nga kjo, mjekët i kanë dhënë udhëzime të reja për regjimin ushqimor dhe aktivitetin fizik.

Raporti sqaron gjithashtu praninë e disa kontuzioneve ose nxirjeve në duart e presidentit, duke i cilësuar ato si irritime të lehta të indeve të buta që shkaktohen nga shtrëngimet e shpeshta të duarve, një pasojë e zakonshme kjo edhe nga përdorimi i aspiridës, dozë e cilës i është rekomanduar të ulet. Sa i përket pamjaftueshmërisë venoze kronike, një diagnozë e vitit të kaluar që shkakton bllokim të gjakut në gjymtyrët e poshtme, mjekët vërejtën një ënjtje të lehtë të këmbëve, por me përmirësime të dukshme krahasuar me herët e kaluara.

Nga ana tjetër, Trump mori sërish pikët maksimale (30 nga 30) në testin kognitiv të Montrealit (MoCA), i cili përdoret për zbulimin e hershëm të demencës, duke përsëritur rezultatet e viteve të kaluara. Gjithashtu, falë terapisë me medikamente si rosuvastatina dhe ezetimibi, niveli i tij i kolesterolit ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke shkuar në vlerat optimale prej 3.7 mmol/L.

Ky publikim, të cilin Trump e cilësoi si një kontroll gjashtëmujor, shënon raportin e katërt mjekësor të bërë publik që nga nisja e mandatit të tij të dytë. Ky hap vjen në një moment politikisht të rëndësishëm, kur presidenti kërkon të projektojë forcë dhe qëndrueshmëri përpara zgjedhjeve të mesmandatit. Edhe pse ligjërisht asnjë president amerikan nuk është i detyruar të ndajë kartelën e tij mjekësore me publikun, transparenca ka mbetur një traditë e ndjekur pjesërisht nga administratat e ndryshme.

Si personi më i moshuar i zgjedhur ndonjëherë në krye të SHBA-së, Trump përpiqet vazhdimisht të shuajë pikëpyetjet e opinionit publik mbi moshën dhe energjinë e tij, veçanërisht pasi paraardhësi i tij Joe Biden u tërhoq nga gara presidenciale pikërisht për shkak të shqetësimeve mbi moshën. Gjatë daljeve të fundit publike, Trump ka ironizuar shpesh komentet mbi pasionin e tij për ushqimin e shpejtë apo mungesën e ushtrimeve jashtë lojës së golfit, duke deklaruar me shaka se ndihet po aq në formë sa pesë dekada më parë.

Lini një përgjigje