Presidenti i Elkos Group–ETC, Ramiz Kelmendi, ka pritur në një takim zyrtar drejtorin ekzekutiv të Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.
Gjatë takimit, Kelmendi ka pranuar një mirënjohje për bashkëpunimin korrekt 22-vjeçar me Odën Ekonomike Amerikane, duke e cilësuar këtë institucion si një mekanizëm të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.
Sipas Kelmendit, në takim u diskutuan tema që lidhen me aktualitetin politiko-ekonomik, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit profesional në funksion të zhvillimit ekonomik.
Ai theksoi se ruajtja, kultivimi dhe avancimi i marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit të përgjithshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet me rëndësi jetike për vendin.
Kelmendi vlerësoi gjithashtu rolin e Odës Ekonomike Amerikane në promovimin e klimës së biznesit dhe forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.





