Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim drejtuesit e kompanisë “Gacaferi 1957”, Naim dhe Urim Gacaferi, me të cilët ka diskutuar për zhvillimin e kompanisë, zgjerimin e aktivitetit dhe promovimin e produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë takimit u vlerësua rrugëtimi i kompanisë, e cila prej dekadash operon në prodhimin e kuzhinave, mobilieve dhe dizajnit të enterierit, duke kombinuar traditën me inovacionin modern.
U bë e ditur se kompania aktualisht punëson 26 punëtorë dhe ka plane konkrete për zgjerim, ndërsa u theksua se cilësia, përkushtimi dhe inovacioni janë faktorët kryesorë që e kanë bërë konkurruese si në tregun vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Në takim u diskutua edhe për digjitalizimin e proceseve të punës, përfshirë mundësinë e zhvillimit të një aplikacioni që do t’u mundësonte klientëve të vizualizonin kuzhinat në mënyrë digjitale në ambientet e tyre para realizimit të projektit.
Po ashtu, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e diasporës së Kosovës në zgjerimin e eksporteve dhe depërtimin e produkteve kosovare në tregje si Zvicra, Gjermania dhe vende të tjera evropiane.
Ministrja Kusari-Lila vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin shumëvjeçar të kompanisë me partnerët italianë, duke theksuar se ai ka ndikuar në suksesin e saj ndër vite. Si dëshmi e këtij bashkëpunimi, drejtuesi i kompanisë, Naim Gacaferi, është nderuar me titullin Konsull Nderi nga Ambasada e Italisë.
Në përfundim, ministrja theksoi se biznese si “Gacaferi 1957” përfaqësojnë shembullin më të mirë të ndërthurjes së traditës, cilësisë dhe inovacionit, duke promovuar me dinjitet produktet e Kosovës në tregjet ndërkombëtare.




