Interesimi i madh i bashkatdhetarëve për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë ka krijuar radhë të gjata para Ambasadës së Kosovës në Gjenevë.
Qytetarë të shumtë kanë pritur deri në dy orë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë të diasporës me proceset demokratike në vend. Pavarësisht pritjeve dhe temperaturave të larta, mërgimtarët kanë qëndruar në radhë me durim për të dhënë kontributin e tyre në përcaktimin e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.
Atmosfera para ambasadës është karakterizuar nga fluks i madh votuesish gjatë gjithë ditës, ndërsa pjesëmarrja e lartë po konsiderohet si një tregues i interesimit të diasporës për zhvillimet politike dhe të ardhmen e vendit.
“Edhe larg Kosovës, zëri ynë ka peshë”, është mesazhi që po përcillet nga shumë votues që kanë pritur me orë të tëra për të hedhur votën e tyre.




