Ballina > Rajoni > Protestat në Bosnje dhe Hercegovinë marrin përmasa të mëdha: Rinia dhe të moshuarit bashkohen për të vërtetën dhe përgjegjësinë

Protestat në Bosnje dhe Hercegovinë marrin përmasa të mëdha: Rinia dhe të moshuarit bashkohen për të vërtetën dhe përgjegjësinë

21 Feb 2026 Rajoni

Protesta të mëdha janë paralajmëruar për sot në Sarajevë, por edhe në disa qytete të tjera të Bosnje dhe Hercegovinë, duke shënuar një nga valët më të fuqishme qytetare të viteve të fundit.

Të rinjtë, të cilët janë në ballë të këtyre protestave, kanë theksuar qartë se nuk i interesojnë ndarjet politike apo përkatësitë partiake, por e vërteta, drejtësia dhe përgjegjësia institucionale. Sipas tyre, heshtja ka zgjatur tepër dhe brezi i ri nuk pranon më të jetojë në një sistem që, siç thonë ata, ka dështuar t’i shërbejë qytetarëve.

Protestat në kryeqytet nuk po shuhen. Përkundrazi, çdo ditë e më shumë, në rrugët e Sarajevës po u bashkohen edhe gjeneratat më të vjetra. Qytetarë që prej dekadash kanë qenë dëshmitarë të rrënimit të institucioneve shtetërore theksojnë se e ndjejnë detyrim moral të qëndrojnë krah rinisë, e cila më në fund ka ngritur zërin.

Një nga demonstruesit më të moshuar, i pranishëm çdo ditë në tubime, mbajti një fjalim emocional dhe të drejtpërdrejtë para protestuesve. Ai kritikoi ashpër sistemin e drejtësisë dhe klasën politike, duke theksuar se padrejtësia e vazhdueshme ka shkatërruar besimin e qytetarëve dhe të ardhmen e vendit. Fjalët e tij u pritën me duartrokitje dhe brohoritje, duke reflektuar zemërimin dhe zhgënjimin e akumuluar ndër vite.

Protestat po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një lëvizje qytetare gjithëpërfshirëse, ku brezat bashkohen rreth një kërkese të përbashkët: një shtet funksional, institucione të përgjegjshme dhe drejtësi reale për të gjithë.

Lini një përgjigje