Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses trajnimin profesional “Zhytje Rifreskuese”, i cili u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Polumbarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Pashaliman të Vlorës.
Ky trajnim është realizuar në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me qëllim ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve profesionale të pjesëtarëve të njësive të specializuara.
Programi është organizuar nga Qendra Ndërkombëtare e Trajnimeve për Kërkim-Shpëtim e Gardës Kombëtare të FSK-së, ndërsa ka përfshirë përditësimin e njohurive dhe aftësive praktike në fushën e zhytjes profesionale.
Gjatë trajnimit, pjesëtarët e FSK-së janë fokusuar në teknikat moderne të zhytjes, masat e sigurisë gjatë operacioneve nënujore, planifikimin dhe realizimin e misioneve të zhytjes, kontrollin e lundrueshmërisë, përdorimin e sistemit “buddy”, si dhe zhvillimin e aftësive për demonstrim dhe mësimdhënie praktike.
Përmes këtij programi trajnues, pjesëtarët e FSK-së kanë avancuar përgatitjen e tyre profesionale për realizimin e misioneve të kërkim-shpëtimit dhe operacioneve të specializuara nënujore.
Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të mbrojtjes së Kosovës dhe Shqipërisë vazhdon të shërbejë si një mundësi për shkëmbimin e përvojave, ngritjen e standardeve profesionale dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve operacionale.




