Një aksident trafiku ku u përfshinë dy tramvaje ka ndodhur të enjten në qytetin Gelsenkirchen të Gjermanisë, ku janë lënduar 25 persona, ndërsa tre prej tyre janë në rrezik për jetën.
Policia bëri të ditur se një tramvaj që po përdorej për trajnim u ndal papritur në qendër të qytetit, pranë stadiumit Veltins Arena. Tramvaji që po lëvizte pas tij dhe që transportonte pasagjerë u përplas me tramvajin që ishte “i ndaluar ose po lëvizte ngadalë”, tha një zëdhënëse e policisë.

Sipas të dhënave të fundit, shtatë nga 25 personat e lënduar kanë pësuar lëndime të rënda, ndërsa tre janë në rrezik për jetën. Fillimisht policia kishte raportuar për 30 persona të lënduar.
Shkaku i ndalimit të papritur të tramvajit të parë në një nga rrugët kryesore ende nuk është përcaktuar.
Në vendin e aksidentit intervenuan ekipet e specializuara për hetimin e aksidenteve, së bashku me një numër të madh të automjeteve të emergjencës.
Zona përreth rrugës Kurt-Schumacher mbeti e mbyllur për disa orë pas aksidentit.




