Pasardhësi i Heroit Kombëtar, Loris Castriota Scanderbeg, ka mbërritur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku u prit nga përfaqësues të institucioneve kulturore në Pejë.
Vizita e tij në Kosovë lidhet me hapjen e ekspozitës Portretet e Skënderbeut gjatë Shekujve, e cila do të inaugurohet në Galeria e Arteve Pejë. Kjo ekspozitë sjell një rrugëtim unik artistik dhe historik, duke paraqitur mënyrat se si figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është portretizuar ndër shekuj nga artistë të epokave të ndryshme.

Prania e Loris Castriota Scanderbeg në këtë ngjarje i jep një peshë të veçantë simbolike ekspozitës, duke forcuar lidhjen mes trashëgimisë historike dhe identitetit kulturor shqiptar. Hapja e ekspozitës në Pejë pritet të zgjojë interes të madh të publikut dhe të shndërrohet në një nga ngjarjet kulturore më të rëndësishme të këtij viti në rajon.




