Kompleksi i njohur turistik Sveti Stefan në Mal të Zi do të hapet zyrtarisht më 1 korrik, pas një ndërprerjeje pesëvjeçare. Kompania qiradhënëse ka bërë të ditur se gjithçka është gati për pritjen e vizitorëve, duke konfirmuar se ky resort aktualisht mban vendin e parë për nga numri i rezervimeve në mesin e të gjitha hoteleve të rrjetit të njohur botëror “Aman”.
Rikthimi i resortit ka nisur gradualisht, ku mysafirët e parë janë akomoduar në “Vila Miločer” që nga data 22 maj, ndërsa dy restorantet ekskluzive “Zuma” dhe “Nammos” kanë hapur tashmë dyert. Vizitorët kanë në dispozicion edhe qendrën Spa që ndodhet në Plazhin e Mbretëreshës, i cili nga ora 08:00 deri në 20:00 do të jetë i rezervuar vetëm për mysafirët e hotelit. Ndërkaq, në Plazhin e Madh të Miločerit (Plazhi i Mbretit), një pjesë e hapësirës dhe pajisjeve të plazhit do të jetë e qasshme edhe për banorët lokalë. Çmimet e luksit mbeten të larta, ku shfrytëzimi i dy shtretërve të plazhit dhe një ombrellë kushton 240 euro në Plazhin e Mbretëreshës, ndërsa në Plazhin Perëndimor të Sveti Stefanit ky shërbim arrin vlerën prej 220 eurosh.
Rihapja e këtij kompleksi erdhi pasi Qeveria e Malit të Zi miratoi propozimin për marrëveshje me qiradhënësin “Adriatic Properties”, me qëllim që të shmangej një dëm i mundshëm financiar që mund të kalonte vlerën e 100 milionë eurove.
Megjithatë, ky proces po përcillet me tensione të rritura, pasi rikthimi i portës rrethuese në Plazhin e Mbretëreshës ka revoltuar banorët lokalë të Sveti Stefanit. Ky vendim u ka bllokuar sërish qytetarëve kalimin në shëtitoren që lidh Sveti Stefanin me Parkun e Miločerit nga ora 08:00 deri në 20:00. Për këtë arsye, Këshilli i Bashkësisë Lokale të Sveti Stefanit ka dorëzuar një padi penale në Prokurorinë Themelore të Shtetit në Kotor kundër kompanisë “Adriatic Properties” dhe disa organeve të tjera shtetërore e komunale. Po ashtu, ata kanë kërkuar nga Inspekcion Komunal i Komunës së Budvës që të bëjë largimin e menjëhershëm të rrethojës dhe portës nga kjo hapësirë publike.




