Kryetari i Lëvizjes Qytetare URA dhe ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka pranuar një mirënjohje speciale mbrëmë në Nju Jork, ku me vendim të Këshillit të Qytetit është shpallur “Qytetar Nderi”.
Propozimi për këtë titull u nënshkrua nga këshilltarët e qytetit: David M. Carr (Brooklyn), Kamillah M. Hanks (Staten Island), Christopher Marte (Manhattan), Frank Morano (Staten Island), Justin Sanchez (Bronx) dhe Phil Wong (Queens).
Ceremonia në Nju Jork dhe Dita e Shtetësisë
Sipas njoftimit zyrtar nga GP URA, vlerësimi u nda gjatë një ceremonie solemne të mbajtur më 23 qershor në selinë e parlamentit të Nju Jorkut, e cila u organizua për nder të Ditës së Shtetësisë së Malit të Zi.
Në këtë ngjarje, përveç zyrtarëve të lartë të qytetit amerikan, morën pjesë edhe përfaqësues të shumtë të diasporës, shoqatave të tyre dhe personalitete të shquara.
Abazoviq: “Konfirmim se angazhimi për vlerat e duhura nuk shkon dëm”
Në fjalën e tij pas pranimit të çmimit, Abazoviç u shpreh i nderuar dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet popujve:
“Të gjithë angazhimin tim publik ua kam nënshtruar ndërtimit të urave të bashkëpunimit dhe afrimit të njerëzve me identitete, kombe dhe shtete të ndryshme. Sot, kur Mali i Zi shënon Ditën e Shtetësisë në Bashkinë e Nju Jorkut — një prej qyteteve më të rëndësishme në botë — erdhi konfirmimi se angazhimi për vlerat e duhura nuk është i kotë.”
Ai shtoi se ndjehet krenar me Malin e Zi dhe me diasporën e saj të shkëlqyer që bën që emri i shtetit të përmendet me respekt të veçantë.
“Le të ndizet përjetësisht flaka në Statujën e Lirisë në emër të të gjithë njerëzve të mirë që duan paqe e prosperitet, por edhe që rreshtohen në mbrojtje të drejtësisë dhe vlerave universale”, përfundoi Abazoviç me mesazhin e tij të njohur: “Mundet Mali i Zi”.




