Ushtria amerikane ka vijuar për të pestën ditë radhazi sulmet ndaj Iranit, në një operacion që, sipas Pentagonit, synon të dobësojë aftësinë e Teheranit për të kërcënuar anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës. Gjatë natës janë raportuar shpërthime në disa zona të Iranit, përfshirë Bandar Abbasin, Ahvazin dhe Chabaharin. Mediat shtetërore iraniane njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan edhe në pjesë të Teheranit, ndërsa sulme janë raportuar edhe në rajonet qendrore dhe veriore të vendit. Sipas Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, më shumë se 260 persona kanë mbetur të plagosur nga sulmet e fundit amerikane.
Pentagoni bëri të ditur se vala e fundit e sulmeve ka goditur qendra komanduese, sisteme të mbrojtjes ajrore, kapacitete raketore dhe dronësh, si edhe objekte të mbikëqyrjes bregdetare. Më herët, forcat amerikane kishin shënjestruar edhe ishullin strategjik Tunbi i Madh në Gjirin Persik.
Ndërkohë, sipas burimeve të CNN, presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e zgjerimit të operacionit ushtarak. Në mesin e opsioneve që po diskutohen janë një operacion për marrjen e ishullit Kharg, qendra kryesore e eksporteve iraniane të naftës, si dhe bombardimi i komplekseve nëntokësore në malin Pickaxe, që besohet se lidhen me programin bërthamor të Iranit.
Në frontin diplomatik, Irani ka deklaruar se do t’u përgjigjet “me vendosmëri” sulmeve amerikane dhe se aktualisht nuk ka në plan të zhvillojë negociata. Megjithatë, kryenegociatori iranian ka lënë të hapur mundësinë e dialogut diplomatik, ndërsa zëvendëspresidenti amerikan JD Vance është shprehur se konflikti nuk mund të zgjidhet vetëm me mjete ushtarake.
Paralelisht, SHBA ka forcuar bllokadën detare në zonë. Ushtria amerikane njoftoi se ka ndaluar një cisternë bosh nafte që lundronte drejt ishullit Kharg dhe ka ridrejtuar dy anije tregtare të tjera. Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit mbet




