Kina ka hedhur poshtë të premten akuzat e presidentit amerikan Donald Trump për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, duke deklaruar se Pekini nuk ka pasur dhe nuk ka interes të ndikojë në procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Reagimi erdhi pasi Trump, gjatë një fjalimi drejtuar kombit një ditë më parë, riktheu pretendimet e tij për zgjedhjet e vitit 2020 dhe akuzoi Kinën për ndërhyrje.
Ministria e Jashtme e Kinës i cilësoi këto pretendime si të pabaza dhe me qëllim diskreditimin e vendit.
“Akuzat përkatëse nga SHBA-ja janë plotësisht të sajuara dhe synojnë të njollosin Kinën. Ne nuk kemi interes të ndërhyjmë në zgjedhjet amerikane dhe këtë nuk e kemi bërë kurrë”, deklaroi zëdhënësi i ministrisë, Lin Jian.
Ai i bëri thirrje Uashingtonit të ndalojë, sipas tij, akuzat e pabazuara ndaj Pekinit.
I pyetur nëse kjo përplasje mund të ndikojë në vizitën e planifikuar të presidentit kinez Xi Jinping në SHBA gjatë muajit shtator, Lin tha se Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë përdorimin e Kinës si çështje në debatet e tyre zgjedhore dhe të ndërmarrin hapa që kontribuojnë në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Donald Trump kishte vizituar Pekinin në mesin e muajit maj, ku u takua me presidentin Xi Jinping. Pas takimit, të dyja qeveritë njoftuan se do të miratonin një kornizë të re për menaxhimin e marrëdhënieve dypalëshe. Më pas, Trump e ftoi Xi Jinping për një vizitë zyrtare në SHBA gjatë muajit shtator, ndërsa Pekini konfirmoi se presidenti kinez e kishte pranuar ftesën.




