Ballina > Vendi > Nisin shpërndarjet e traktorëve për fermerët përfitues në Pejë

Nisin shpërndarjet e traktorëve për fermerët përfitues në Pejë

20 Jul 2026 Vendi

Ka nisur faza e parë e shpërndarjes së traktorëve për fermerët përfitues në kuadër të thirrjes publike “Furnizim me mekanizëm bujqësor – Traktor”, projekt i bashkëfinancuar nga Komuna e Pejës dhe fermerët përfitues.

Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, Tahir Shala, të cilët uruan fermerët dhe theksuan rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për sektorin e bujqësisë.

Muhaxheri deklaroi se investimet në mekanizimin bujqësor janë pjesë e angazhimit të komunës për zhvillimin e bujqësisë, rritjen e prodhimit vendor dhe përmirësimin e kushteve të punës për fermerët.

“Investimet në mekanizimin bujqësor ndikojnë drejtpërdrejt në fuqizimin e fermerëve dhe zhvillimin e bujqësisë në komunën tonë”, u shpreh Muhaxheri.

Ndërsa drejtori Tahir Shala vlerësoi interesimin e madh të fermerëve për këtë program, duke theksuar se pajisja me mekanizëm modern do të ndikojë në rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin e ekonomive familjare në zonat rurale.

Në fazën e parë të këtij projekti janë shpërndarë 19 traktorë, ndërsa në total parashihet të dorëzohen 65 traktorë për fermerët përfitues.

Sipas Komunës së Pejës, procesi i shpërndarjes së mekanizmit bujqësor pritet të përfundojë deri më 20 gusht.

Lini një përgjigje