Kanë nisur sot punimet për realizimin e projektit “Stabilizimi i rrëshqitjes në rrugën R104 Klinë–Gurrakoc, km 1+200”, pas një periudhe përgatitore dhe koordinimi me administratën përkatëse.
Ky projekt, i financuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, kap vlerën prej 373,614.26 euro dhe synon të adresojë problemin e rrëshqitjes së dheut në këtë segment rrugor.
Sipas njoftimit, punimet do të mundësojnë sanimin e rrëshqitjes, stabilizimin e terrenit dhe rritjen e sigurisë në komunikacion për të gjithë qytetarët që e shfrytëzojnë këtë rrugë.
Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është theksuar se mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që rrisin sigurinë rrugore, mbrojnë infrastrukturën dhe përmirësojnë cilësinë e rrjetit rrugor në gjithë vendin.




