Ballina > Sport > Nga Kosova drejt futbollit spanjoll KFV Prishtina nënshkruan partneritet strategjik me FC Andorra

Nga Kosova drejt futbollit spanjoll KFV Prishtina nënshkruan partneritet strategjik me FC Andorra

25 Jul 2026 Sport

KFV Prishtina ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar, duke zyrtarizuar një partneritet strategjik me FCA International, akademinë ndërkombëtare të FC Andorra. Marrëveshja krijon mundësi të reja për futbollistet dhe futbollistët e talentuar nga Kosova dhe rajoni, të cilët do të kenë qasje në programe profesionale zhvillimi në zemër të futbollit spanjoll.

Marrëveshja u nënshkrua nga Sekretari i Përgjithshëm i KFV Prishtina, Flamur Kelmendi, dhe përfaqësuesi i FCA International, Marc Balsells, duke shënuar fillimin e një bashkëpunimi afatgjatë që synon të afrojë edhe më shumë futbollin kosovar me një nga sistemet më të avancuara të zhvillimit të talenteve në Evropë.

Ky është partneriteti i dytë i madh që KFV Prishtina ndërton me futbollin spanjoll. Pas bashkëpunimit me FC Barcelona Academy, klubi zgjeron rrjetin e tij ndërkombëtar edhe me FC Andorra, duke krijuar një tjetër urë drejt akademive elitare të Spanjës.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, futbollistët nga Kosova do të kenë mundësi të stërviten në Kataloni, pranë Club Gimnàstic Manresa, akademisë së afiluar të FC Andorra dhe një prej qendrave më të njohura për zhvillimin e futbollistëve të rinj në Spanjë. Me mbi 50 vite traditë, Gimnàstic Manresa ka ndihmuar në formimin e shumë lojtarëve që më pas kanë vazhduar karrierën në klube të mëdha si FC Barcelona, Real Madrid, Villarreal, Espanyol dhe skuadra të tjera elitare.

Partneriteti u ofron të rinjve nga Kosova qasje në programe elitare prove dhe zhvillimi, kampe tre mujore dhe sezonale me akomodim për grupmoshat nga U9 e lart, program profesional për kategorinë U23, stërvitje me standarde të larta, vlerësime profesionale nga stafi teknik i FC Andorra, si dhe programe që kombinojnë futbollin me shkollimin dhe zhvillimin personal.

Një nga vlerat më të mëdha të kësaj marrëveshjeje është krijimi i një rruge konkrete drejt futbollit evropian. Talentet kosovare do të kenë mundësinë të zhvillohen në një ambient profesional, ku përparimi dhe mundësitë ndërtohen mbi performancën dhe meritën.

Ky partneritet mbështetet në bashkëpunimin e krijuar në kuadër të projektit të UEFA Foundation for Children. Në vitin 2023, me mbështetjen e FC Barcelona, ekipi U17 i KFV Prishtina vizitoi Manresën dhe zhvilloi një ndeshje miqësore kundër vajzave të FC Andorra. Pikërisht ajo eksperiencë hodhi themelet e besimit dhe bashkëpunimit që tashmë është formalizuar me këtë marrëveshje strategjike.

Për drejtuesit e KFV Prishtina, ky partneritet është shumë më tepër se një memorandum bashkëpunimi. Ai përfaqëson një investim afatgjatë në të ardhmen e futbollit kosovar dhe një mundësi reale për talentet e reja që të ndërtojnë karrierë në një nga tregjet më të zhvilluara të futbollit evropian.

Detajet për regjistrimet, datat e programeve dhe procesin e përzgjedhjes së futbollistëve do të bëhen publike gjatë javëve në vijim.

Lini një përgjigje