Ballina > Sport > Heroi i Botërorit gjen klub të ri, Vozinha transferohet te gjiganti kilian Colo Colo

Heroi i Botërorit gjen klub të ri, Vozinha transferohet te gjiganti kilian Colo Colo

25 Jul 2026 Sport

Portieri i Kombëtares së Kepit të Gjelbër, Vozinha, një nga zbulimet më të mëdha të Kampionatit Botëror të sapopërfunduar, do të vazhdojë karrierën te gjiganti kilian Colo Colo.

Lajmin e konfirmoi presidenti i klubit, Anibal Mosa, i cili bëri të ditur se palët kanë arritur marrëveshje dhe se kanë mbetur vetëm procedurat zyrtare.

“Detajet e fundit janë duke u finalizuar, por tashmë kemi konfirmim nga stafi i tij dhe përfaqësuesi se marrëveshja është arritur pas ofertës që i kemi bërë”, deklaroi Mosa.

Ai shtoi se Vozinha do të udhëtojë drejt Kilit për t’iu nënshtruar kontrollove mjekësore, përpara se të prezantohet zyrtarisht në stadiumin “Monumental”.

Colo Colo është klubi më i suksesshëm në historinë e futbollit kilian, me 34 tituj kampionë, 14 Kupa të Kilit dhe katër Superkupa. Në vitin 1991 fitoi edhe Copa Libertadores, ndërsa në finalen e Kupës Ndërkontinentale u mposht nga Crvena Zvezda.

40-vjeçari ishte pa klub gjatë Botërorit, pasi i kishte skaduar kontrata me Chaves. Gjatë karrierës ai ka luajtur edhe për Trençin, AEL Limassol, Gil Vicente, Zimbru, Progresso, CS Mindelense dhe Batuque.

Me përfaqësuesen e Kepit të Gjelbër ai ka regjistruar 92 paraqitje, ka pësuar 86 gola dhe ka mbajtur portën të paprekur në 37 ndeshje.

Në Botëror, Vozinha ishte një nga protagonistët kryesorë të turneut. Ai luajti në katër ndeshje, pranoi vetëm katër gola dhe u shpall portieri më i mirë i kampionatit, ndërsa Kepi i Gjelbër nuk humbi asnjë takim në kohën e rregullt, pavarësisht se u përball me finalistët, Spanjën dhe Argjentinën.

Lini një përgjigje