Teatri Profesionist “Istref Begolli” dhe Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Peja kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për realizimin e projektit kulturor-edukativ “Festivali i Monologjeve për Shkollat e Mesme të Larta – Monologu im”.
Marrëveshja është firmosur nga drejtoresha e teatrit, Krenare Luta Radoniqi, dhe drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega.
Ky projekt synon të fuqizojë rolin e artit dhe kulturës në edukimin e të rinjve, duke krijuar hapësira të reja për shprehje artistike dhe zhvillim personal. Përmes këtij bashkëpunimi, palët synojnë ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm për organizimin e një festivali të monologjeve dedikuar nxënësve të shkollave të mesme të larta në komunë.
Sipas organizatorëve, objektivat kryesore të projektit janë zbulimi dhe promovimi i talenteve të rinj në aktrim, nxitja e kulturës teatrore tek të rinjtë, zhvillimi i aftësive artistike dhe komunikative, si dhe rritja e vetëbesimit te nxënësit. Po ashtu, festivali synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet shkollave të mesme dhe të krijojë një traditë të qëndrueshme të aktiviteteve artistike për të rinjtë.
“Monologu im” pritet të shërbejë si një platformë e rëndësishme për të rinjtë e qytetit, duke i afruar më shumë me artin skenik dhe duke i inkurajuar të shprehin talentin dhe kreativitetin e tyre.





