Ballina > Vendi > Ndërron jetë Rifat Kasapolli – Riki, robaqepës dhe dashamir i tenisit

Ndërron jetë Rifat Kasapolli – Riki, robaqepës dhe dashamir i tenisit

16 Feb 2026 Vendi

Ka ndërruar jetë sot, në moshën 65-vjeçare, Rifat Kasapolli, i njohur për publikun si Riki. Lajmi i trishtë vjen pas një qëndrimi disa ditor në koma, nga i cili ai fatkeqësisht nuk arriti të rikuperohej.

Rifat Kasapolli ishte artist dhe dizajner nga Peja, i diplomuar në Fakultetin e Dizajnit në Zagreb, ku kishte ndërtuar bazat profesionale që më pas i shndërroi në një stil unik krijues. Ai u bë i njohur për punën e tij me xhinsin (jeans), duke e shndërruar këtë material të përditshëm në formë arti, një ndërthurje e veçantë mes zanatit, dizajnit dhe shprehjes estetike.

Përveç kontributit në art dhe dizajn, Kasapolli njihej edhe si dashamir i sportit të tenisit, duke qenë i lidhur me jetën sportive dhe shoqërore të qytetit të Pejës.

Ndarja e tij nga jeta lë një zbrazëti të madhe në komunitetin artistik dhe kulturor, si dhe te të gjithë ata që e njohën për kreativitetin, përkushtimin dhe thjeshtësinë njerëzore.

Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë atyre që e çmuan veprën dhe jetën e Rifat Kasapollit – Riki.

Lini një përgjigje