Në Kuvendin Zgjedhor të degës së Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Pejë, Naim Bytyqi është zgjedhur kryetar i degës, duke marrë kështu drejtimin e një prej degëve më të rëndësishme të subjektit politik, aty ku edhe nisi rrugëtimin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Pas marrjes së besimit nga delegatët e Kuvendit Zgjedhor, Bytyqi u shpreh i nderuar dhe falënderues për mbështetjen, duke theksuar se udhëheqja e degës së Aleancës në Pejë është më shumë përgjegjësi sesa privilegj.
“Jam shumë i nderuar nga besimi që më dha sot Kuvendi Zgjedhor i degës së Aleancës në Pejë. Të udhëheqësh këtë strukturë të jashtëzakonshme është mbi të gjitha përgjegjësi për ta mbajtur fituese”, ka deklaruar ai.
Bytyqi falënderoi të gjithë delegatët dhe pjesëmarrësit për mbështetjen, ndërsa një falënderim të veçantë ia kushtoi ish-kryetarit të degës, Ali Berisha, për siç tha ai “udhëheqjen e jashtëzakonshme për shumë vite në degën e Aleancës në Pejë”.
Në fund të fjalës së tij, kryetari i ri i degës dha edhe mesazhin politik për periudhën e ardhshme:
“Nga sot fillon rruga drejt fitores. Faleminderit nga të gjithë ju, na priftë e mbara!”





