Ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vizituar sot qytetin e Pejës, ku është pritur në një takim zyrtar nga kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri. Takimi u karakterizua nga një frymë bashkëpunimi, me fokus të veçantë në politikat zhvillimore për kategoritë kyçe të shoqërisë.
Përmes një komunikate, Jahjaga e vlerësoi lart mikpritjen dhe progresin që ka shënuar ky qytet nën udhëheqjen e Muhaxherit.
Gjatë bashkëbisedimit u prekën sfera të ndryshme të qeverisjes lokale, ku ish-Presidentja përgëzoi kryetarin për reformat dhe zhvillimet pozitive që po transformojnë Pejën. Sipas saj, përkushtimi i vazhdueshëm ndër vite i Muhaxherit është një shembull i shërbimit ndaj qytetarëve.
Tema qendrore e takimit mbetet fuqizimi i grave dhe krijimi i mundësive për të rinjtë.
“Bashkëbisedimi ynë preku shumë sfera me fokus gjithmonë në gratë dhe rininë si shtylla të shoqërisë. U zotuam për bashkëpunim të mëtutjeshëm me bindjen se vetëm duke punuar së bashku mund të ndërtojmë më shumë mundësi të barabarta për të gjithë,” deklaroi Jahjaga.
Ky takim rikonfirmon angazhimin e ish-Presidentes Jahjaga për të mbështetur nismat lokale që avancojnë barazinë gjinore dhe perspektivën rinore, duke krijuar ura bashkëpunimi mes fondacionit të saj dhe komunave të Kosovës.





