Avokati Arianit Koci ka ngritur alarmin përmes rrjeteve sociale, duke reaguar ashpër pas konstatimit zyrtar të Komisionit Evropian se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015.
Ai ka ftuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrin Albin Kurti që të reagojnë menjëherë në nivel institucional, duke theksuar se Serbia nuk ka asnjë të drejtë ligjore të arrestojë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për vepra të pretenduara të kryera në territorin e Kosovës.
Sipas Kocit, arrestimet dhe ndjekjet penale ndaj shtetasve të Kosovës, pa kërkesë zyrtare dhe pa përfshirjen e institucioneve të Kosovës, përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të obligimeve që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në reagimin e tij, avokati ka bërë të ditur se aktualisht ndodhet në Serbi, ku po ndjek nga afër rastin e arrestimit të Mit’hat Lozhanit, duke e cilësuar këtë rast si pjesë të një praktike shqetësuese ndaj shtetasve të Kosovës.
Në fund të reagimit, Koci ka dhënë një paralajmërim të drejtpërdrejtë për ish-ushtarët e UÇK-së dhe për pjesëtarët e organeve të sigurisë së Kosovës, duke u bërë thirrje që të shmangin kalimin transit nëpër Serbi, për shkak të rrezikut real të arrestimeve.




