Tifozja më e famshme e Kroacisë, Ivana Knoll, ka ndezur atmosferën para përballjes së sotme në Kupën e Botës, duke deklaruar me bindje se kombëtarja e saj do të mposhtë Anglinë. Ish-Miss Kroacia, e cila mori vëmendjen e botës me veshjet e saj provokuese në tribunat e Botërorit “Rusi 2018” dhe sot numëron rreth 2.9 milionë ndjekës në Instagram, beson se Luka Modriç me shokë do të dhurojnë një tjetër rrugëtim magjik falë harmonisë në grup.
Mendimi i modeles, e njohur në rrjetet sociale si “knolldoll”, mbështetet gjerësisht edhe nga opinioni publik në Kroaci, ku media dhe tifozët shpesh e cilësojnë ekipin anglez si “arrogant”. Gazetari i njohur sportiv kroat, Drazen Antoliç, i ka bërë jehonë këtij qëndrimi përmes një kolone kritike, duke shigjetuar pikërisht qasjen e britanikëve.
Knoll u pa së fundmi në krye të një marshimi masiv të tifozëve kroatë në rrugët e Dallasit dhe pritet të jetë e pranishme në stadium për ndeshjen e rëndësishme që luhet sonte në orën 21:00.
Në një prononcim të dhënë për emisionin “Football Heaven” të BBC-së, ajo u shpreh e bindur për suksesin e skuadrës së saj ballkanike. Knoll theksoi se njerëzit vazhdimisht e nënvlerësojnë Kroacinë për shkak se është një vend i vogël, duke harruar se në botërorët e fundit ata kanë shkatërruar çdo parashikim.
E pyetur mbi kritikat se kombëtarja kroate ka një moshë të madhe në moshë, modelja u përgjigj se mosha nuk ka rëndësi kur ekziston lidhja e fortë mes lojtarëve. Ajo mori si shembull kombëtare të tjera që, megjithëse kanë yje nga klubet më të mëdha në botë, dështojnë sepse nuk luajnë si grup. Sipas saj, sekreti i mrekullive të Kroacisë qëndron tocërisht te bashkimi, çka e bën atë tejet optimiste se skuadra do të arrijë të paktën deri në fazën çerekfinale.




