Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se ka nisur një projekt për rehabilitimin e zonave të degraduara në pellgun e lumit Drini i Bardhë.
Pacolli ka njoftuar se është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit me përfaqësuesit e CNVP-së, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve dhe mbrojtjes së burimeve natyrore.
“Po nisim rehabilitimin e zonave të degraduara në pellgun e Drinit të Bardhë!”, ka shkruar ministrja Pacolli, duke theksuar se ky partneritet synon rikthimin e ekosistemeve të dëmtuara dhe krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm për qytetarët.
Sipas saj, përmes këtij projekti:
Do të rehabilitohen mbi 5 hektarë tokë të degraduar;
Do të realizohen mbjellje të reja për ripyllëzimin e zonave të dëmtuara;
Do të mbrohet biodiversiteti dhe ekosistemet natyrore;
Do të rritet ndërgjegjësimi i komunitetit për rëndësinë e mbrojtjes së pyjeve dhe mjedisit.
Ministrja Pacolli ka deklaruar se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin projekte që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm, menaxhimin e përgjegjshëm të pasurive natyrore dhe një të ardhme më të gjelbër për Kosovën.




