Ballina > Aktualitet > Kurti i bën thirrje KGJK-së t’i refuzojë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të stafit serb

Kurti i bën thirrje KGJK-së t’i refuzojë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të stafit serb

24 Jul 2026 Aktualitet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që t’i refuzojë kërkesat e gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb për tërheqjen e dorëheqjeve të dhëna në fund të vitit 2022.

Ai tha se braktisja ishte e organizuar politikisht si pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit.

“Braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e institucioneve të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të komunitetit serb, në fund të vitit 2022 ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit. Qysh atëherë e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni. Por, nuk e kemi thënë e as nuk kemi të drejtë të themi kthehuni. Kishim të drejtë etike të ju themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtuese e ligjore tu themi kthehuni”, tha Kurti.

Sipas tij, largimi nga institucionet kishte qenë akt politik, ndërsa çështja e kthimit duhet të trajtohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese. Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset kushtetutës e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Në këtë linjë gjithnjë sipas kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial. Teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor të vepronte njësoj kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të atillë kjo çështje”, tha Kurti.

Edhe U.D e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi sot më herët nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që t’u jap përgjigje negative të dorëhequrve.

Lini një përgjigje