Pas tri ditësh bllokadë nga banorët lokalë të fshatit Sferkë, është arritur marrëveshja që mundëson rifillimin e grumbullimit të mbeturinave në Komunën e Pejës.
Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Ambienti” SHA Pejë, Diedon Berisha, ka bërë të ditur se marrëveshja e arritur parasheh mbulimin e plotë të deponisë me dhe, ndërsa deri në përfundimin e këtij procesi nuk do të ketë hedhje të mbeturinave në deponi.
Sipas tij, nga ora 15:00 ka nisur rikthimi i shërbimit të grumbullimit të mbeturinave, fillimisht në zonën e qytetit të Pejës, për të vazhduar më pas edhe në zonat tjera.
“Me kapacitet të plotë të makinerive dhe stafit kemi filluar shërbimin, fillimisht me qytet dhe më pas do të vazhdojmë në të gjitha zonat tjera”, ka deklaruar Berisha.
Banorët e Sferkës kishin protestuar për tri ditë radhazi, duke kërkuar zgjidhje për gjendjen e deponisë dhe marrjen e masave konkrete për trajtimin e saj.
Me arritjen e marrëveshjes pritet që situata me grumbullimin e mbeturinave në Pejë të normalizohet gradualisht.






