Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë rajonale për menaxhimin e mbeturinave “Ambienti”, Diedon Berisha, ka konfirmuar se është arritur një marrëveshje me banorët e fshatit Sferkë, duke i dhënë fund bllokadës së rrugës që çon drejt deponisë së mbeturinave.
Banorët kishin protestuar dhe kishin bllokuar qasjen në deponi, duke kundërshtuar funksionimin e saj dhe duke kërkuar ndërmarrjen e masave për përmirësimin e gjendjes në këtë lokacion.
Sipas Berishës, marrëveshja e arritur parasheh që deponia të mbulohet me dhe, si masë për përmirësimin e kushteve dhe adresimin e shqetësimeve të ngritura nga banorët.
Ai bëri të ditur se, pas arritjes së marrëveshjes, kamionët kanë rifilluar transportimin dhe zbrazjen e mbeturinave në deponi, duke normalizuar procesin e grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave.
Rifillimi i punës në deponi pritet të shmangë grumbullimin e mbeturinave në komunat që shërbehen nga kompania “Ambienti”, ndërsa mbetet të shihet zbatimi i marrëveshjes dhe masave të dakorduara me banorët e Sferkës.




