Në Hotel Evropa u shënua 18-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës në një pritje solemne të organizuar nga Bashkësia Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë.
Mesazhin kryesor të mbrëmjes e përcolli Martin Berishaj, Ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci dhe ambasador jorezident për Bosnjën dhe Hercegovinën. Ai u bëri thirrje familjeve shqiptare që fëmijët ta mësojnë dhe ta flasin gjuhën shqipe, duke theksuar se ruajtja e gjuhës është themeli i identitetit kombëtar. Berishaj nënvizoi edhe rëndësinë e afrimit kulturor e shoqëror mes popujve, si dhe vlerësoi heqjen unilaterale të vizave për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës si një hap konkret që forcon lidhjet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.
Në fjalën e saj, kryetarja e Bashkësisë Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë, Elvira Dushi, rikujtoi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe theksoi lidhjet e thella historike, njerëzore dhe të solidaritetit mes Kosovës, Sarajevës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, duke vënë në pah kontributin e shqiptarëve në jetën dhe mbrojtjen e këtij vendi.
Programi u pasurua me hapjen e një ekspozite fotografike dhe një koncert të instrumenteve me hark, ndërsa ngjarja u përmbyll me mesazhin se kultura, gjuha dhe të rinjtë janë ura më e fortë e bashkëpunimit dhe paqes në rajon.





