Ballina > Rajoni > Manipulim dhe presion ndaj Malit të Zi: Vuçiç do BE-në edhe pa të drejtë vetoje, ndonëse kjo s’është as afër realizimit

Manipulim dhe presion ndaj Malit të Zi: Vuçiç do BE-në edhe pa të drejtë vetoje, ndonëse kjo s’është as afër realizimit

23 Feb 2026 Rajoni

Mali i Zi duhet të shqyrtojë pranimin e kufizimit të së drejtës së vetos kur të anëtarësohet në BE, pasi refuzimi me çdo kusht – ndërkohë që vendet e tjera kandidate pranojnë – mund t’ia vështirësojë pozicionin, vlerëson Strahinja Subotić.

Ndërkaq, Željko Pantelić thotë se premtimet e Vuçiçit tingëllojnë si tallje, duke theksuar se në Bashkimin Evropian nuk ekziston as një shumicë serioze, e lëre më konsensus, për t’ua ndaluar të drejtën e vetos anëtareve të reja.

Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, se për Serbinë është i pranueshëm anëtarësimi në BE pa të drejtë vetoje, është më shumë manipulim propagandistik sesa vullnet i vërtetë politik, por mund të shërbejë si presion ndaj Malit të Zi për të pranuar kufizime të përkohshme, vlerësojnë bashkëbiseduesit e “Vijesti”.

Hulumtuesi i lartë dhe menaxheri programor në Qendrën për Politika Evropiane (CEP) në Beograd, Strahinja Subotić, e sheh deklaratën e Vuçiçit si përpjekje për t’iu afruar BE-së, pasi ai e di se anëtarësimi “nuk është aq afër për të sa për Malin e Zi”, si dhe si mënyrë për të përmirësuar pozitën negociuese.

“Megjithatë, ai në thelb nuk jep shumë, përkatësisht nuk jep asgjë, nëse supozojmë se Serbia nuk do ta arrijë anëtarësimin në një të ardhme të afërt, apo të paktën jo gjatë mandatit të tij. Kështu që nuk ka çfarë të humbasë duke e mbështetur atë opsion për Serbinë”, ka thënë Subotić.

Ai thekson se, në vend të refuzimit automatik, Mali i Zi duhet ta shqyrtojë kufizimin e së drejtës së vetos, “sepse refuzimi me çdo kusht, ndërkohë që vendet e tjera kandidate pranojnë, mund vetëm ta vështirësojë pozitën e Malit të Zi”.

Gazetari dhe analisti Željko Pantelić vlerëson se qëndrimi i bërë publik nga Vuçiçi nuk nënkupton se Beogradi është gati për një kthesë drejt afrimit me BE-në, por se bëhet fjalë për një tjetër manipulim propagandistik dhe përpjekje për të dalë nga ngërçi gjeopolitik në të cilin është gjendur Beogradi zyrtar pas miratimit të të ashtuquajturave “ligjet e Mrdićit”.

Sipas tij, Serbia ka ende shumë punë për të bërë para se të arrijë në pikën ku mund të heqë dorë nga e drejta e vetos për anëtarësim në BE, prandaj “premtime të tilla tingëllojnë si tallje”.

“E thënë figurativisht, është njësoj sikur dikush të heqë dorë nga mundësia për të ngrënë tortë në një darkë gala për të cilën ka marrë ftesë, por nuk ka as kostumin dhe as sjelljet e kërkuara për të marrë pjesë fare në atë darkë. Për më tepër, në tryezën e BE-së si propozim nuk është heqja dorë nga vetoja në të gjitha fushat, por vetëm për pranimin e anëtareve të reja”, ka deklaruar Pantelić./vijesti.me/

Lini një përgjigje