Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka sugjeruar që Europa të rishqyrtojë qasjen e saj ndaj Rusisë dhe të hapë rrugën për një dialog të ri politik me presidentin rus, Vladimir Putin.
Macron theksoi nevojën që Europa të veprojë me më shumë autonomi strategjike dhe të luajë një rol më aktiv në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për luftën në Ukrainë. Ai nënvizoi se çdo hap i tillë duhet të bëhet në koordinim me partnerët evropianë dhe me autoritetet ukrainase.
Nga ana tjetër, Kremlini reagoi pozitivisht ndaj deklaratave të Macronit.
Zëdhënës të qeverisë ruse thanë se janë “të impresionuar” nga qëndrimi i presidentit francez, duke e cilësuar atë si një sinjal për një qasje më pragmatike të Europës ndaj Moskës.
Deklaratat kanë shkaktuar reagime të ndryshme brenda Bashkimit Evropian, ku disa shtete shprehin mbështetje për diplomacinë, ndërsa të tjerë mbeten skeptikë për çdo afrim me Rusinë në kushtet aktuale të konfliktit.




