Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të vendit, duke propozuar emrin e Glauk Konjufca si kandidat për këtë post.
Sipas LVV-së, zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, të cilat erdhën pas një bllokade mbi dhjetëmujore institucionale, prodhuan rezultatin më të qartë në historinë e pasluftës në Kosovë. Në reagim thuhet se qytetarët votuan kundër bllokimit të shtetit dhe në favor të themelimit të institucioneve.
Partia në pushtet thekson se menjëherë pas rezultatit zgjedhor janë konstituuar Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa tani radha i takon zgjedhjes së Presidentit – proces për të cilin kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.
LVV bën të ditur se fillimisht ka kërkuar konsensus me subjektet më të mëdha opozitare, duke i ftuar disa herë në takime për të propozuar emra të përbashkët për këtë pozitë. Sipas njoftimit, nga opozita nuk është ofruar asnjë propozim konkret dhe janë refuzuar edhe emrat e sugjeruar nga partia fituese.
Në këto rrethana, LVV ka vendosur të dalë me një emër zyrtar, duke propozuar ministrin aktual të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit dhe deputetin e shtatë legjislaturave, Glauk Konjufcën, të cilin e cilëson si një nga figurat më të votuara në historinë e Republikës.
Megjithatë, partia thekson se dera për konsensus mbetet e hapur. LVV i ka bërë thirrje sërish opozitës që të propozojë kandidat, duke ofruar edhe mbështetje me nënshkrime nga grupi parlamentar nëse është e nevojshme.
Në fund të reagimit, theksohet bindja se zgjedhjet e reja janë të evitueshme dhe se ekziston mundësia reale për të gjetur një pajtueshmëri politike që do ta çonte vendin përpara pa hyrë në një cikël të ri zgjedhor.




