Skena politike në vend po hyn në një fazë të re zhvillimesh, teksa brenda Lëvizjes Vetëvendosje po diskutohen emra konkretë për pozitën e Presidentit të Kosovës.
Burime brenda subjektit bëjnë të ditur se fillimisht është shqyrtuar mundësia që kandidatura të ndërtohej rreth emrit të Glauk Konjufca, mirëpo ai ka refuzuar të përfshihet në këtë proces. Ky qëndrim ka hapur rrugë për diskutime të reja dhe për alternativa të tjera brenda partisë.
Në këtë kontekst, emri i Andin Hoti po përmendet si një nga opsionet serioze që po shqyrtohen për postin e Presidentit. Sipas informacioneve nga brenda VV-së, kandidimi i tij është duke u diskutuar, ndonëse ende nuk ka një vendim përfundimtar.
Portali Inklik ka kontaktuar ministrin Andin Hoti lidhur me përfoljet për kandidaturën e tij të mundshme për president, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka pasur një përgjigje zyrtare nga ai.
Zhvillimet e fundit pritet të sqarohen në ditët në vijim, ndërsa procesi për zgjedhjen e Presidentit duket se po hyn në një fazë vendimtare, me lëvizje që mund të riformatojnë skenën politike në vend.





